Mbishkrimi Dodahundi nishidhi

Stela Doddahundi nishidahi me paraqitjen e vdekjes së mbretit Neetimarga I, me mbishkrime të vjetra kannada të vitit 840 ose 869

Doddahundi nishidhi dhe mbishkrimi i tij është një lapidar heroik nga Doddahundi, 18 km nga Tirumakudal Narasipura në distriktin Mysore të shtetit indian Karnataka. Në të gjendet një mbishkrim i padatuar në gjuhën e vjetër kannada që historianët Fleet, Sarma dhe E. P. Rice e kanë datuar nga konteksti si të vitit 840 ose 869.[1][2] Lapidari heroik ka një paraqitje unike në frizë të vdekjes rituale (sallekhana dhe samadhi) të mbretit të dinastisë perëndimore Ganga Ereganga Nitimarga I (që ka mbretëruar në vitet 853-869). Përmendorja u ngrit nga djali i mbretit Satyavakya. Nishidhi të tillë (vend përmendoreje) u ngritën në Indinë mesjetare në nder të personaliteteve të rëndësishme xhainiste që i dhanë fund jetës së tyre vullnetarisht pasi kryen rituale të ashpra përkushtimore.[3][4] Periudha e Gangave perëndimorë prodhoi jo vetëm kolona imponuese (stambha) dhe të skalitura mjeshtërisht por edhe përmendore guri (virgal) të rëndësishme me relieve të jashtëzakonshme.[5] Sipas historianit dhe epigrafistit John Faithfull Fleet i cili botoi mbishkrimin, emrat në përmendore janë tituj dhe jo emra personalë. Ai e daton mbishkrimin në vitin 840 me mendimin se Nitimarga në mbishkrim është në të vërtetë Ranavikrama, djali i mbretit Sripurusha (që ka mbretëruar në vitet 726-788).[2]

  1. ^ Rice, E.P. (1921), fq. 13
  2. ^ a b Fleet (1905), fq. 53
  3. ^ Sarma (1992), fq. 17
  4. ^ Sarma (1992), fq. 204
  5. ^ Kamath (1980), fq. 52

From Wikipedia, the free encyclopedia · View on Wikipedia

Developed by Nelliwinne